Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

I mbyllur në karantinë, artisti krijon pikturën më të madhe në botë, sa 4 fusha basketbolli

Nga A2 CNN
21 Gusht 2020, 11:15 | Fotolajme

I mbyllur në karantinë 4-mujore në Dubai, çfarë mund të bëj realisht një artist i talentuar dhe i ndërgjegjësuar për kohën e vështirë që po kalojmë në kohë pandemie? Po patjetër, as më shumë dhe as më pak, por pikturën më të madhe me kanavacë të krijuar ndonjëherë.

Artisti britanik 43-vjeçar Sacha Jafri, që ka studiuar në disa prej shkollave më prestigjioze britanike, si ajo e Eton, vendosi në bashkëpunim me autoritetet e vendit arab të merrte peng sallën e ballos të hotelit ku rrinte, Atlantis The Palm, duke krijuar një vepër komplekse që në përfundim do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metra katrorë, sa 4 fusha basketbolli.  

I njohur për stilin e realizmit magjik të veprave, Jafri  e ka quajtur veprën “Rrugëtimi i Njerëzimit” dhe është e kompozuar pjesërisht me qindra vepra që fëmijë nga e gjithë bota i kanë dërguar onlinë.

“I kërkova fëmijëve të dërgonin vepra që tregonin sesi ndiheshin në këto momente karantine dhe pandemie. Për të rriturit është mjaftueshëm e vështirë, mendoni për një fëmijë 4-vjeçar”, thotë Jafri, i cili mendon të përfundojë veprën në rreth 6 muaj, ku 4 kanë kaluar tashmë .   

Në përfundim, vepra do të ngrihet vertikalisht dhe do të projektohet në qiellgërvishtësin më të lartë në botë, Burj Khalifa, dhe më pas do të ndahet në 60 panele më të vogla për t’u shitur në ankand.

“Mendoj se do të ketë koleksionistë të mëdhenj që mund të paguajnë edhe 4 milionë dollarë për çdo panel”, thotë artisti, që mendon të mbledhë rreth 30 milionë dollarë nga e gjithë vepra. Të gjithë paratë do të shkojnë në bamirësi, pikërisht për fëmijët në nevojë, një projekt ky i mbështetur nga UNESCO dhe yje të showbizit si Rita Ora dhe Eva Longoria.

A2 CNN Livestream

Dita jonë