Inter përballë Sevilla-s në finalen e Europa League, për lavdi dhe 25 mln euro

europa leagueeee 1100x620

Të fitosh të ndihmon të fitosh. Dhjetë vjet nga suksesi i fundit europian, ku ngriti Champions-in, Interi luan finalen e Europa League përballë Sevilla-s.

Suksesi në këtë turne do të shërbente si impuls pozitiv për ambientin zikaltër dhe për tifozët, do të ishte një hap përpara në procesin e rritjes së ekipit, por do të sillte edhe përfitime të rëndësishme financiare.

Deri më tani, zikaltërit kanë përfituar 16 milionë euro, ndërsa triumfi në finale do t’i ngrinte në 25 milionë euro të ardhurat nga shpërblimet e UEFA-s.

Përfitimet do të zgjerohen, edhe për sa i takon përhapjes së markës në arenën ndërkombëtare, deri te finalja e Superkupës së Europës. Deri më tani, në arkat e Interit janë shtuar 56 milionë euro, mes përfitimeve nga pjesëmarrja në grupet e Champions League dhe rrugëtimi i suksesshëm në finalen e Europa League.

Zikaltërit kanë shansin të bëhen ekipi i parë italian që e fiton trofeun prej vitit 1999. Për Conten kjo do të ishte gjithashtu kupa e parë ndërkombëtare, si edhe trofeu i parë i epokës Suning. Mbrëmjen e sotme, prej orës 21:00, thuajse i gjithë Interi luan për një copëz historie.