Letra e Ardian Dvoranit: Kërkoj rikthimin në KED deri në përfundim të vitit 2020

Ardian Dvorani kërkon që të ribashkohet në trupën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Ish-kryetari i KED-së kërkon rikthimin në këtë trupë. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Vitore Tushës, kryetares aktuale të KED-së, Dvorani kërkon që mandatin ta ushtrojë deri në fund të vitit 2020, kur edhe përfundon.

Sipas Dvoranit, kalimi nga Gjykata e Lartë në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës, nuk përbën pengesë për ushtrimin e detyrës së anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke shtuar se trupa është kolegjiale. Struktura e saj përbëhet nga disa hallka të gjyqësorit, ku përfshihen edhe gjykatat e apelit, ndaj dhe Dvorani mund të jetë pjesë e saj.

“Nisur nga kuptimi dhe interpretimi i sipërtrajtuar të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme, kam vlerësimin se rrethana e krijuar e mosushtrimit të mëtejshëm të funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe vijimi prej datës 30.07.2020 në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, nuk e ndërpret të drejtën dhe detyrimin tim kushtetues dhe ligjor për të qenë në përbërje të KED, të caktuar për të ushtruar veprimtarinë gjatë vitit kalendarik 2020”, lexohet në letrën e Dvoranit.

Ardian Dvorani kërkon gjithashtu që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të marrë në konsideratë këtë çështje dhe të dalë me një vendimmarrje.