Lukaku i jep kupën e 6-të “ekspertes” së Europa League

Sevilla është fituese e kupës së vogël të Europës për sezonin 2019-2020. Kampion për herë të gjashtë i këtij kompeticioni, ekipi spanjoll mundi me rezultatin 3-2 Interin në finalen që u zhvillua në Këln të Gjermanisë.

Një ndeshje shumë e bukur që e meritonte të ishte një finale e Europa League, gola, kartona, përplasje dhe në fund një ekip fitues.

Interi vinte pas 10 vitesh në një finale të kupave europiane, por ishte pafat. Spanjollët ,tashmë ekspertë të Europa League futën dhe italianët në listën e “kokave të prera” prej tyre.

Interi kaloi i pari në avantazh në minutën e 5 të takimit falë një penalltie që u shndërrua në gol nga Lukaku. 7 minuta më vonë barazon Sevilla me holandezin Luuk De Jong.

29 vjeçari ishte në një formë shumë të mirë dhe në të 33-ën çon të tijtë në avantazh. Por ky avantazh nuk zgjati shumë, pasi djemtë e Conte barazojnë në të 36-ën me Godin.

Pjesa e dytë nisi më e balancuar me të dy ekipet që shpresonin në një gabim të njëri-tjetrit për të përfituar.  Dhe ky gabim erdhi në minutën e 74 kur një roveshatë e  Diego Carlo u devijua nga Lukalu dhe kaloi spanjollët në avantazh.

Ky gol i goditi rëndë italianë që hodhën të gjithë forcat e mbetura në fushën e lojës, por që nuk mundën të ndryshonin asgjë.