Morën pjesë në një dasmë, procedohet shefi i policisë në Malësinë e Madhe dhe disa efektivë

iii 1100x620
Foto ilustruese

Pas një video të publikuar në rrjetet sociale, ku disa efektivë policie merrnin pjesë në një dasmë, ka reaguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili urdhëroi ngritjen e një grupi kontrolli për nxjerrjen e përgjegjësive.

Nga verifikimet e kryera nga grupi i kontrollit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, u evidentua lokali ku ishte zhvilluar dasma dhe u ndëshkua me 1.000.000 lekë gjobë, për organizim dasme në kundërshtim e  Aktin Normativ, pronari i lokalit shtetasi E. R, banues në Malësinë e Madhe.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se punonjësit e policisë që mbulojnë zonën policore Specialisti i Policisë Kriminale shtetasi J. R., Inspektori i policisë së zonës  N. R., dhe dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme S. K., dhe A. M.) nuk kishin ushtruar kontroll për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe për këtë shkelje të rëndë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra.

Gjithashtu, po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas inspektimit të bërë nga grupi i kontrollit i ngritur për këtë qëllim, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë për Shefin e Komisariatit të Malësisë së Madhe L. N; Shefin e Rendit S.K; dhe Shefin e Hetimit të Krimit K.C.