Rusi, janë 40 mijë vullnetarët për vaksinën “Sputnik V”, OBSH vijon të dyshojë

vaksina ruse 1100x620

Rusia do të testojë së shpejti “Sputnik V”, atë që Moska pretendon të jetë vaksina e parë efikase kundër koronavirusit që po shkakton pandeminë, në rreth 40 mijë vullnetarë për të analizuar impaktin epidemiologjik të saj.

Vaksina ka marrë licencimin rus në fillim të gushtit, dhe sipas planeve ruse në shtator do të fillojë prodhimi në masë.

“Qëllimi i këtij protokolli gjigant prej 40 mijë testimesh nuk është thjesht për të studiuar sigurinë e vaksinës, gjë që nënkuptohet, por për të analizuar impaktin e saj epidemiologjik”, deklaruan përgjegjësit e Institutit Gamaleya në Moskë, që po eksperimentojnë Sputnik V.

Qëndrimi i OBSH-së për vaksinën ruse ka qenë nga një anë dyshues, duke pasur pikëpyetje për mosrespektimin e afateve kohore standarde, nga ana tjetër e hapur për mundësinë që do të sillte një lajm të shkëlqyer për të gjithë botën.

Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Europën, e bëri të qartë këtë qëndrim të komunitetit ndërkombëtar. “Rusia ka një traditë të madhe për sa i përket vaksinave, dhe çdo hap përpara në zhvillimin e një vaksine është një lajm inkurajues”, por shtoi se ”çdo vaksinë duhet t’i përmbahet disa hapave strikte mbi sigurinë dhe efikasitetin. Dhe kjo bëhet në tri faza, ku edhe faza e tretë është e rëndësishme”, diçka kjo që vaksinës ruse i mungon ende, të paktën sipas standardeve ndërkombëtare.