Trump: Demokratët po tentojnë të vjedhin zgjedhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump, vendos në dyshim aftësitë e Joe Biden për të ruajtur sundimin e ligjit dhe rendit në Shtetet e Bashkuara. Kjo erdhi pasi ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë pranoi nominimin e Partisë Demokrate si kandidat presidencal.

Në një intervistë telefonike për “Fox News”, Trump pretendon se do të marrë mbështetjen e votuesve në zonat suburbane, një grupim i konsideruar shumë vendimtar për fitimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, pasi, sipas tij, zotëron suportin e shumë departamenteve të policisë.

“Ne jemi për siguri. Biden nuk është. Është e pabesueshme”, tha Trump.

Presidenti amerikan iu rikthye sërish kritikave për këmbënguljen e demokratëve për votimin me postë: “Ky do të jetë mashtrimi më i madh në histori. Këto do të jenë zgjedhjet më mashtruese në histori. 51 milionë vota do t’u dërgohen qytetarëve. Disa prej tyre mund të vdesin, e shumë të tjerë do të marrin më shumë se një votë. Do të jetë diçka shumë e tmerrshme”.

Ndërkohë, Trump ka publikuar dhe rezultatin e një sondazhi duke pretenduar se zotëron 51% të mbështetjes së amerikanëve dhe 95% mes republikanëve.