Armand Duka: Objektivi i Shqipërisë, vendi i parë në Kupën e Kombeve

duka 600x338

Në një intervistë të dhënë për televizionin shtetëror turk TRT nga Lisbona, atje ku ndodhet për të ndjekur finalen e Champions League, Armand Duka, presidenti i FSHF, ka shpalosur objektivat e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

“Për grupin tonë mund të them që jemi katër skuadra në të njëjtin nivel pak a shumë. Jemi ne, Bjellorusia, Kazakistani dhe Lituania. Ne kemi shkuar në short si kokë grupi dhe shpresojmë të bëjmë mirë. Objektivi ynë është të dalim të parët në fund të Kupës së Kombeve. Gjithçka mund të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në ndeshjen e parë në Minsk duke marrë një rezultat pozitiv dhe më pas të vazhdojmë përpara”, u shpreh Duka.

Sa i përket finales Bayern-PSG, Duka u shpreh se për të Bayern është më i fortë. “Pres të shikoj një finale interesante ndërmjet dy skuadrave shumë të mira siç janë Bajern Mynih dhe PSG. Jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e fortë dhe nuk mund të parashikohet kush do të fitojë. Më duket se Bajern Mynih është pak më i fortë në letër, është më shumë skuadër dhe solid si grup, por është një ndeshje finale dhe nuk duhet të harrojmë se edhe PSG ka shumë cilësi në skuadër, një Nejmar të jashtëzakonshëm që nuk mund të parashikohet se çfarë bën në fushën e lojës, është i aftë për gjithçka. Do të shohim një ndeshje interesante”, u shpreh Duka.