Navalny arrin në Gjermani, doktorët: E vështirë të përcaktohet lloji i helmit

Avioni me Alexey Navalny në bord, liderin opozitar rus që gjendet në koma pas një helmimi të dyshimtë, ka zbarkuar në Gjermani dhe 44-vjeçari është transferuar në një spital të Berlinit për një trajtim më profesional.

Navalny është një ndër kritikët më të fortë të presidentit rus, Vladimir Putin. Të enjten ai u shtrua në gjendje shumë të rëndë në terapi intensive në Omsk të Siberisë. Mbështetësit e opozitarit besojnë se bëhet fjalë për një helmim të qëllimshëm dhe se Kremlini ka vonuar me dashje transferimin e tij për në Berlin për të mbuluar gjurmët. Por, mjekët rusë kanë konfirmuar se nuk ka prova për pretendimet e tilla.

“Vonesa e transferimit të Navalny-t në Gjermani erdhi nga dëshira e autoriteteve ruse për të fshehur shkakun e gjendjes së rëndë të tij. Pas gjithë kësaj kohe, nuk kanë mbetur më gjurmë të helmit dhe në Europë do të jetë e pamundur për të përcaktuar substancën toksike të përdorur”.

Kështu shprehet doktoresha personale e opozitarit rus, Anastasija Vasilieva, në një intervistë për median italiane “La Repubblica”. “Mjekët në Omsk nuk donin të linin Navalnin të largohej. Pretendonin se nuk mund të transportohej në atë gjendje, por kjo ishte një gënjeshtër. Është e paligjshme dhe kriminale të mbash një pacient në një spital, i cili nuk i ka mjetet e nevojshme për t’i garantuar kurimin”, shton doktoresha.

Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë theksuar se fillimisht do të bëjnë shërimin e Navalny-t e më pas do të hetojnë për shkaqet që e futën atë në koma. Ky rast mund të shkaktojë përplasje diplomatike mes Gjermanisë dhe Rusisë.