Takimi në Uashington, Kosova pret finalizimin e 3 marrëveshjeve me Serbinë

kosovaaa 1100x620

Tri letrat e qëllimit të mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe autostradën pritet të shndërrohen në marrëveshje në takimin e shtatorit në Uashington. Edhe pse ky qëllim i mirë nuk ka gjetur zbatim, përkundër ndërmjetësimit para 10 muajsh të të deleguarit për dialogun, Richard Grenell, shpresat janë të mëdha që kësaj here të implementohen në kryeqendrën e ShBA-së.

Shefi i dikasterit të këtyre fushave, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashika komentuar atë që pritet të ndodhë në takimin mes kryeministrit, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

 “Çka mund të bëhet më shumë që popujt të bashkëveprojnë në aspektin ekonomik më shumë në mënyrë që të ulen tensionet politike. Propozimet tona kanë qenë disa, duke përfshirë edhe këto dyja, hekurudha dhe autostrada për Merdare, pastaj që vazhdon gjithsesi. Prandaj shpresoj që edhe në takimin e shtatorit në tavolinë do të jenë edhe këto projekte qoftë bashkëfinancim ose hua-marrje. Pra qeveria e Kosovës është e gatshme të merr edhe huamarrje për financimin e këtyre projekteve jetike. Por gjithësi edhe të bashkëfinancime nëse ka vullnet të tillë”, u shpreh Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës.

Por çfarë mendojnë ekspertët ekonomikë lidhur me këto tri marrëveshje me Serbinë? “Janë treguar disa iniciativa nën sponsorimi e ShBA-së sidomos për lidhjen ajrore, infrastrukturën për lidhjet tjera ekonomike që kanë rëndësi të madhe për jetën ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Është e vërtet se deri tash asgjë nuk ka ndodhur, por unë besoj që në takimin e ardhshëm në  ShBA të dyja palët, nën moderimin e ShBA-ve duhet të futen në një agjendë që këto marrëveshje të bëhen realitet”, thotë Muhamet Sadiku, profesor i çështjeve ekonomike.

Ndërkohë, edhe shoqëria civile në Kosovë kërkon që këto letra të qëllimit të mirë të shndërrohen në veprime konkrete.