“Frika” e presidentit bjellorus, Lukashenko: Ushtria në gatishmëri, të mbrojmë vendin

Akuzat e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko se fuqitë e huaja po organizohen ushtarakisht në kufijtë e vendit janë të pabaza, thotë NATO. 

Me veshje ushtarake, presidenti i rizgjedhur në zgjedhjet e 9 gushtit, thotë se ka urdhëruar vendosjen e trupave të tij ushtarake në gjendje alerti maksimal ndërsa protestat në rrugët e kryeqytetit Minsk vijojnë prej 2 javësh me kërkesën e vetme: për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Lukashenko, që ka udhëhequr Bjellorusinë prej 26 vitesh, akuzon NATO-n se po përpiqet që të përçajë vendin dhe të zgjedhë në Minsk një president të ri. 

 “Ata po shkundin situatën nga brenda vendit tonë, duan të drejtojnë të gjitha institucionet. I kam kërkuar shefave të sigurisë që të kenë në fuqi masat më të ashpra për të mbrojtur integritetin territorial të vendit tonë”, deklaroi presidenti bjellorus.

NATO reagoi zyrtarisht duke theksuar se aleanca nuk përbën kërcënim as për Bjellorusinë dhe as për vend tjetër në botë ndërsa i kërkon presidentit Lukashenko që të respektojë të drejtat themelore të njeriut.