Instalacioni “Reja”, festivali i përvitshëm i lë stafetën kinemasë italiane

Në kushte të vështira të pandemisë, ku kultura dhe eventet janë paralizuar, një ambient i hapur është thuajse alternativa e vetme që i mbetet një metropoli. Gjithçka tjetër ka kaluar në botën virtuale.

Për të gjithë ata që i dhanë fund pushimeve në bregdet apo mal, kryeqyteti ju fton në një oaz kulture, tek instalacioni “Reja”. E hëna e çdo jave ka nisur t’i dedikohet kinemasë italiane.

Por, produksionet kinematografike italiane nuk janë të vetmet alternativa. Edit Pula, drejtore artistike e eventeve, shprehet: “Çdo pasdite ftojmë artistë të rinj në skenën tonë. Gjithmonë ndodh diçka”.

Reja nisi si çdo vit aktivitetet në korrik, me festivalin e përvitshëm që sapo ka përfunduar, e që këtë vit shënonte edicionin e tij të katërt. Gushti do të mbyllet me një natë nën ritmet e muzikës jazz, por organizatorët besojnë se edhe shtatori do të jetë i tillë, duke qenë se kushtet në skenat teatrale nuk mundësojnë siguri për shëndetin.