Sjellja e re në shkolla, 1 nxënës në bankë, maska me detyrim për fëmijët mbi 10 vjeç

A2 ka siguruar udhëzimin që Ministria e Shëndetësisë u ka dërguar të gjitha shkollave mbi masat që duhet të marrin për hapjen e tyre në mënyrë të sigurt, duke ruajtur nxënësit nga përhapja e koronavirusit.

Ky institucion rekomandon që nxënësit hyjnë në shkollë pasi janë vendosur në radhë një nga një, me largësi 2 metra; Nxënësi që ka simptoma të ngjashme apo temperaturë përpara ardhjes në shkollë, njofton mësuesin kujdestar, i cili, në bashkëpunim me mjekun e shkollës ose atë të familjes verifikon nëse nxënësi është i sëmurë apo jo; Justifikimi i mungesës bëhet vetem nga mjeku i familjes; Personi përgjegjës i stafit të shkollës, i caktuar nga drejtori, duhet të masë temperaturën e çdo nxënësi me termometër dixhital, sprucim me alkool 60% ose dezifektantë të tjerë në duar; duhet të kontrollohen të gjithë nxënësit që të jenë të pajisur me maskë me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjenën e hundëve;

Gjithashtu, nuk do të lejohet që nxënësit të dalin nga godina dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës. Dera e shkollës do të qëndrojë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor, do të qëndrojnë të hapura për të krijuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre. Dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik si me lart (jo më pak se 1.5 metra), nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe të punonjësve të tjerë të shkollës. Drejtimi i vendosjes së femijëve vetëm në një kah apo një drejtim, njëri pas tjetrit.

Sa i përket procesit mësimor, mësuesi qëndron në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit e tjerë, në 2 metra. Brenda klasës, nxënësit qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera. Nëse transporti i nxenësve kryet me mjetet të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe këto mjete duhet t’i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin .

Disa rregulla të tjera për nxënësit janë si më poshtë:

  • Nxënësve të ciklit të ulët 9 vjeçar u rekomandohet të mbajnë maskë gjatë orëve të mësimit.
  • Nxënësit e cikilt të ulët 9 vjeçar duhet të mbajë maskë gjatë aktiviteteve jashtë orëve të mësimit në ambjentet të shkollës. 
  • Nxënësit e ciklit të lartë 9 vjeçar dhe të mesëm duhet të mbajnë maskë në ambjentet e brendëshme dhe në të gjitha aktivitetet mësimore në ambjentet e shkollës.
  • Mësuesit sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. 
  • Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet.
  • Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme.
  • Nuk lejohet ushqimi në klasë.