MotoGP, Marquez i jep lamtumirën titullit kampion

marquez 1100x620

Marc Marquez do të kthehet të garojë në MotoGP pas 2 ose 3 muajsh. Lajmin e ka dhënë ekipi i kampionit në fuqi të garave me motorë, Repsol Honda.

Kjo do të thotë se spanjolli nuk do të jetë i pranishëm në 3 garat e ardhshme që do të zhvillohen në shtator, pas rrëzimit në garën e parë sezonale që i shkaktoi një frakturë në krahun e djathtë.

Marquez u operua dy herë dhe ka munguar në 4 garat që janë zhvilluar deri më sot. Aktualisht ka 0 pikë në klasifikim, ndërkohë që kryesuesi i renditjes, Fabio Quartararo, ka grumbulluar 67 pikë. Duke qenë se do të mungojë edhe në garat e ardhshme, do të jetë e pamundur për të që të rekuperojë pikët dhe të mbrojë titullin kampion në MotoGP.

“Objektivi i Marc Marquez është që të kthehet kur krahu të jetë shëruar plotësisht. Mendohet se do të kalojnë 2-3 muaj derisa kjo gjë të ndodhë. Nuk kemi përcaktuar garën se kur do të kthehet, por do t’ju informojmë për çdo të re”, lexohet në komunikatën e Repsol Honda.