Nuk është viti i Contes, i “zhduken” 30 milionë euro investime

conte 1100x620

Conte nervoz? Për Interin dhe finalen e Europa League të humbur nga Sevilla pak ditë më parë me siguri,  por me sa duket edhe për të paktën… 30 milionë arsye të tjera.

Është pikërisht kjo shuma, në euro, që ai dhe disa investitorë të tjerë kanë   humbur me shumë gjasa nga një skemë mashtruese që ka sjellë në pranga një 54-vjeçar me origjinë italiane, por banues në Londër, i cili u kishte premtuar atyre fitime marramendëse pas disa investimesh të goditura.

Massimo Bochicchio, emri i personit në pranga, kishte bindur ndër të tjerët Conten, atëherë trajner i Chelsea,  për të investuar rreth 30.6 milionë euro në një fond i quajtur Kidman, dhe i menaxhuar nga Buchicchio, i cili ka një karrierë në banka të ndryshme.

Buchichio i kishte premtuar investitorëve një fitim i të paktën 30.1 milionë eurosh deri më 30 qershor, por në fund të afatit asnjëri prej tyre nuk pa ndonjë kacidhe.

Trajneri i Interit dhe partnerët  e tjerë denoncuan menjëherë personin, që ishte kreu i disa shoqërive financiare në Britaninë e Madhe. Atij i është sekuestruar nga autoritetet rreth 61 milionë euro pasuri personale, si dhe apartamente të ndryshme, njëri prej të cilit ka qenë shtëpia e Contes për disa kohë , gjatë  aventurës së tij londineze.