Policia shpërndan festën e paligjshme, masakër në klubin e natës: 13 viktima

policia peru 600x338

Aksioni i policisë për të shpërndarë një festë që po organizohej në kundërshtim me masat kundër përhapjes së koronavirusit është kthyer në tragjedi në Peru.

13 persona kanë vdekur dhe 3 të tjerë janë plagosur gjatë rrëmujës që u shkaktua kur qindra persona zbrazën me nxitim klubin e natës në Lima, në përpjekje për t’iu larguar policisë, dhe përfunduan duke shkelur njëri-tjetrin.

Sipas policisë, në festë ishin rreth 120 persona. Në Peru nuk lejohen grumbullimet e mëdha dhe nuk lejohet lëvizja pas orës 22:00.

Në një komunikatë zyrtare, Ministria e Brendshme e Perusë theksoi se policia nuk përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit, duke sqaruar se njerëzit janë shtypur nëpër shkallë, duke zbritur nga kati i dytë në të parin. Aktualisht, janë arrestuar 23 persona.

Peruja është një nga vendet më të prekura nga Covid-19 në Amerikën e Jugut, me mbi 576 000 raste dhe mbi 27 000 viktima.