Dekretohen rektorët e rinj, Meta i kërkon drejtuesve të universiteteve të mos ndikohen politikisht

meta rektoret 1100x620

Presidenti Ilir Meta dekretoi rektorët e rinj të universiteteve publike në vendin tonë.

Kreu i Shtetit i kërkoi drejtuesve të rinj të forcojnë autonominë e universitetit duke e mbajtur atë sa më larg politikës.

“Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe punësimi. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain.” I bëj apel edhe qeverisë të mbështesë sa më shumë institucionet e arsimit të lartë, pasi ato hasin vështirësi në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve përkatëse. Kjo duke filluar me miratimin e kuadrit të plotë ligjor normativ për arsimin e lartë, deri tek rritja e mbështetjes financiare nga Buxheti i Shtetit, e cila vazhdon të mbetet e ulët, në veçanti për kërkimin shkencor dhe inovacionet. Njëkohësisht do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj dhe kërkoja angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universitetit, duke e mbajtur atë sa më larg politikës dhe qëllimeve të saj”, tha Meta.

“Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pakompromis”, shtoi Presidenti.