Diplomati nga Seuli: Kim Jong Un është në gjendje kome

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është në gjendje kome dhe motra e tij do të marrë në kontroll drejtimin e vendit. Lajmi është publikuar nga Daily Mail, ndërsa i referohet një diplomati të Koresë së Jugut.

Chang Song-min, një këshilltar i presidentit të Koresë së Jugut Kim Dae-jung, pretendon se Koreja e Veriut po fsheh të vërtetën mbi shëndetin e liderit komunist.

Chang Song-min theksoi për mediat lokale vendase se Kim Yo-jong, 33 vjeçe, motra e Kim Jong Un, do të drejtojë vendin. “Vakumi nuk mund të qëndrojë për një kohë të gjatë, kështu Kim Yo-jong po promovohet për të qenë ajo në krye të vendit”, ka thënë diplomati i Koresë së Veriut.

Pretendimet e Chang Song-min vijnë në një kohë kur media e Koresë së Veriut publikoi foto ku pretendohet se Kim Jong Un ka marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë të enjten e kaluar. Megjithatë, Reuters shkroi se nuk ka mundur të verifikojë vërtetësinë e fotove.

Kim Jong Un është shfaqur rrallë në publik gjatë këtij viti. Pas lajmeve në muajin maj se ai i ishte nënshtruar një operacioni në zemër dhe ndodhej në gjendje të rëndë, 36-vjeçari u shfaq duke prerë një shirit në hapjen e një fabrike.

Pretendimet e diplomatit nga Koreja e Jugut tashmë priten të vërtetohen ose të rrëzohen sërish.