Egbo: Crvena është ekip i fortë, por në fushë luajmë 11 kundër 11

tirana 2 600x338

Trajneri i Tiranës, Emmanuel Egbo, deklaroi në prag të sfidës për Champions League ndaj Crvena Zvezdës se ekipi serb është shumë i fortë, “por në fushë është 11 kundër 11”.

“Do të tentojmë me të gjitha mundësitë që kemi, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin që na takon. Ne do futemi në fushë për të marrë maksimumin. Gjithçka varet nga ne, nëse futemi në fushë dhe japim maksimumin, varet nga ne. Tirana ka aq shanse sa Crvena për kualifikimin. Nuk e di nëse e keni parë UEFA Champions League, me ekipe si Lyon, PSG, që në kushte normale, nuk do të ecnin aq shumë. Kështu që çdo gjë është e mundur në jetë. Motivimi im është se çdo gjë mund të ndodhë. Do na duhet të luajmë si kundër Tbilis, duhet të kërkojmë edhe më shumë nga vetja për të marrë maksimumin e mundshëm. Kam besim se çunat do të futen nesër në fushë për të marrë maksimumin”, tha Egbo.

Në lidhje me formacionin, trajneri i bardhebluve tha: “Do e shohim deri nesër. Nesër do e merrni vesh se kush do të luajë e kush jo. Çdo ndeshje është ndryshe, do shohim lojtarët se kush është gati dhe kush jo. Nuk mund të them a do të jetë Muçi apo një lojtar tjetër. Nesër do e shihni”.

Sipas Egbosë, penalltitë nuk janë avantazh për Tiranën: “Është avantazh, por dhe nuk është avantazh. Crvena është një ekip me shumë vlera, është më cilësor se Tirana. Por në ndeshje teke gjithçka mund të ndodhë, ne do të provojmë duke dhënë 100% brenda fushës. Ne e dimë si luan Crvena Zvezda dhe e dimë si luajmë ne. Nesër do të shihet në fushën e lojës. Ata janë ekip agresiv dhe që dinë të luajnë futboll. Nuk besoj se ekipi do të ketë ngarkesë emocionale. Unë i njoh lojtarët e mi dhe ata do të futen në fushë për ta shijuar ndeshjen, pasi është ndeshje e Champions League. Lojtarët nuk duhet të kenë emocion. Është ndeshje që luhet në shtëpinë tonë. Ne i dimë pikat e dobëta dhe pikat e forta të Cverna Zvezdës. Janë ekip që sulmon me shumë forca, dimë dhe që janë agresivë shumë. Edhe pikat e dobëta të tyre i dimë dhe do i shohim nesër”.