Largimi i të rinjve, Basha: Faji i qeverisë, PD do mbështesë iniciativat e tyre

Duke iu referuar raportit të fundit të kompanisë amerikane për analiza, Gallup, kryeopozitari Lulzim Basha ka ngritur shqetësimin për ikjen e të rinjve nga Shqipëria.

Një në çdo 3 persona që ikën nga vendi ynë është i ri apo e re, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon, sipas raportit më të fundit nga Gallup.

Në një postim në FB, Basha vëren se arsyeja pse shqiptarët largohen janë mundësitë e pakta për arsimim e punësim. 

“Me Edi Ramën janë promovuar ata që kanë rekorde kriminale dhe jo të rinjtë e mirëshkolluar. Taksat e larta të qeverisë Rama këto 7 vjet kanë marrë më shumë para nga xhepat e të rinjve se çdo qeveri tjetër, teksa korrupsioni nuk lë të ecin përpara ata që janë profesionistë të ndershëm”.

Lulzim Basha thotë se për këtë plagë të madhe për Shqipërinë, PD ka gati recetën.

“Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur në vendin tonë të rinjtë si krahun më vital të punës. Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre. Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për t’i dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit”.

Plani demokrat, sipas Bashës, do të krijojë hapësira që kushdo që dëshiron të arsimohet e të punësohet ta bëjë këtë në vendin e vet.