Pandemia në botë, India i tejkalon 3 milionë të infektuarit me Covid-19

Shifrat nga pandemia po rriten me shumë shpejtësi. Në të gjithë botën numërohen më shumë se 23,4 milionë të infektuar me koronavirus, ndërsa jetët e humbura janë më shumëse 808 mijë.

India arriti një rekord tepër të zymtë dhe nuk po arrin të frenojë përhapjen e Covid-19. Ky shtet i tejkaloi 3 milionë të infektuarit me më shumë se 61 mijë rastet e regjistruara në 24 orët e fundit. I lartë mbetet dhe bilanci total i viktimave, me mbi 57 mijë jetë të humbura.

Pak më e qetë paraqitet situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin më të prekur të globit. 31 mijë ishin rastet e reja që çuan numrin e të infektuarve në total në 5,7 milionë. Në 24 orët e fundit, 450 amerikanë humbën jetën për shkak të Covid-19.

Më e ndërlikuar duket situata në Zelandën e Re. Qeveria zgjati kufizimet për të luftuar pandeminë në qytetin Okland për shkak të rigjallërimit të koronavirusit. Kryeministrja Jacinda Ardern, duke e konsideruar 2020 një vit shumë të tmerrshëm, tha se izolimi i 1,7 milionë banorëve do të vijojë deri në fund të këtij muaji.

Ndërkohë, edhe Koreja e Jugut po përjeton një shtim të rasteve të reja. Për të luftuar këtë dhe për të shmangur një valë të dytë, qeveria po ashpërson rregullat e distancimit social.