Tirana luan kundër Crvena Zvezdës, policia shton masat dhe bllokon rrugët

Policia e Tiranës ka shtuar masat për mbarëvajtjen e rendit gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana-Crvena Zvezda, e vlefshme për kualifikimin për Champions League. Ndeshja do të zhvillohet nesër, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Policia informon se “do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës”.

Gjithashtu, nuk do të lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi, policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Do të ketë edhe bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.