Tkurrja e popullsisë, ekspertët: Bizneset në vështirësi, nuk gjejnë punëtorë

Alarmit të prestigjiozes “The Economist” se popullsia e Shqipërisë do të reduktohet me 26% deri në vitin 2050, i bashkohen edhe ekspertët vendas. 

Sipas tyre, largimi masiv i të rinjve dhe plakja e popullsisë po rrezikojnë seriozisht ekonominë e vendit, pasi shumë kompani kanë filluar të hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore. Të gjendur në pamundësi, bizneset shqiptare do të detyrohen të importojnë punëtorë nga jashtë. 

Kjo dukuri rrezikon shoqërinë shqiptare tashmë prej 3 dekadash, por asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga qeveritë. Për ekspertët, ky është momenti për të ndërhyrë. 

Popullsia e Shqipërisë është tkurrur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ajo u vlerësua më 1 janar të këtij viti në 2,85 milionë banorë, me rënie 0,6% kundrejt një viti më parë. Kjo për shkak të tkurrjes së shtesës natyrore, e cila aktualisht është vetëm 7 mijë banorë nga 64 mijë që ishte në vitin 1990.