Viti i ri shkollor në Kosovë, Hoti takon kryetarët e qyteteve: Plani i ministrisë ofron siguri për nxënësit

Nxënësit në Kosovë do të rikthehen në klasa në vitin e ri shkollor që nis në shtator. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar një protokoll me udhëzime të përgjithshme me 3 skenare të mundshme veprimi për zhvillimin e mësimdhënies në kushtet e pandemisë.

Por, gjithçka do të varet nga qarkullimi i Covid-19 në popullatë, pra niveli i rrezikshmërisë. MASH ka porositur të gjitha shkollat në Kosovë që të përgatiten për secilin skenar. Nëse niveli përcaktohet të jetë i ulët, atëherë nxënësit dhe mësuesit do ta zhvillojnë mësimin në institucione me grupe deri në 20 veta dhe duke respektuar distancën 1,5 deri në 2 metra nga njëri-tjetri. Nëse niveli i rrezikshmërisë konsiderohet i mesëm, sërish nxënësit do të jenë në shkolla, por me klasa më të reduktuara deri në 10 veta dhe duke e ndërthurur atë me mësim “online”. Ndërsa në skenarin e fundit mbetet zhvillimi i mësimit në televizion, radio dhe internet.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mbajti dhe një takim me kryetarët e të gjitha qyteteve të vendit lidhur me pandeminë dhe vitin e ri shkollor. Ai vlerësoi planin e Ministrisë së Arsimit: “Ministri i Arsimit me bashkëpunëtorët e tij ka bërë një punë të mirë në studimin e përvojave të vendeve të ndryshme sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, duke pasur parasysh edhe shëndetin e nxënësve, të arsimtarëve në shkolla, po në të njëjtën kohë duke u siguruar që nuk mbetemi prapa sa i përket realizimit të planprogramit dhe të sigurimit të cilësisë në arsim”.

Ndërkohë, kthimi i nxënësve në shkolla është kërkuar si nga prindërit ashtu edhe nga sociologët, pasi mendojnë se zhvillimi i mësimit në distancë i ka penalizuar në nxënie dhe socializim.