Zjarret në vend, Goxhaj: Të hapen korridore për zjarrfikëset në terrenet malore

Pas shkresave drejtuar 61 bashkive, prefektëve dhe Policisë së Shtetit, shërbimet zjarrfikëse kanë marrë masa në përballimin e situatës së zjarreve.

Vetëm përgjatë muajit korrik, në Tiranë janë regjistruar më shumë se 60 vatra zjarri, ndërsa situata ka qenë e njëjtë edhe në muajin gusht.

Në shumë zjarre është dashur dhe ndërhyrja e helikopterit.

“Në të gjitha këto ngjarje kemi kërkuar mbështetje nga Mbrojtja Civile”, shprehet Goxhaj.

Nga ana tjetër Goxhaj shprehet se ne terrene të vështira kërkohet dhe hapja e korridoreve në mënyrë që të mbërrijnë forcat zjarrfikëse. Sipas tij duhet nisur puna që në zonat pyjore të krijohen rrugë të posaçme për shërbimet.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e cilësoi situatën mjaft emergjente duke kërkuar koordinim dhe reagim të shpejtë pasi zjarret, sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë të qëllimshme.

Ndonëse në çdo vatër prezente janë dhe forcat e policisë, jo në të gjitha rastet janë arrestuar autorët e zjarrvënieve të qëllimshme.