Buxheti nën krizën e Covid-19, deri në korrik, gropa në të ardhura 32 mld lekë

Edhe pse në korrik, në buxhetin e shtetit u futën 38 miliardë lekë të ardhura, duke frenuar rënien dyshifrore të konstatuar në muajt e kaluar, sërish arka e shtetit po vuan presionin e pandemisë së COVID-19. 

Ministria e Financave raporton se për periudhën janar- korrik të këtij viti, nga tatimet dhe doganat u mblodhën 233 miliardë lekë, ose 32 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, ekuivalent kjo me 260 milionë euro. 

Për ish-ministrin e Ekonomisë, Zef Preçi një ecuri e tillë e të ardhurave dëshmon se Shqipëria po rrezikon skenarin më negativ të recensionit, atë për një rënie të ekonomisë me -9% të parashikuar nga BERZH.

Po ku mungojnë paratë? Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rënia më e madhe konstatohet te TVSH-së, tatimi që siguron rreth 40% të të ardhurave totale në buxhet dhe që dëshmon për konsumin dhe qarkullimin e xhiros në ekonomi. 

Për 7 muajt e parë të këtij viti, nga TVSH u mblodhën 10.9% më pak se një vit më parë. Rënie e fortë konstatohet edhe te tatimi mbi fitimin, që tregon për gjendjen e bizneseve dhe tatimi i mbi të ardhurat personale që iu mbahet individëve nga paga. 

Ekspertët sugjerojnë politika me efekt të menjëhershëm për rimëkëmbjen e sipërmarrjes dhe nxitjen e punësimit. 

Qeveria ka prezantuar një plan për riintegrimin  në tregun e punës të të gjithë atyre që kanë humbur vendin e punës. Kjo nëpërmjet subvencionimit të pagës dhe kontributeve. Një nismë e përkrahur nga biznei, por e konsideruar e pamjaftueshme prej tij.