Hapja e shkollave, Vokshi: 510 mijë nxënës dhe mësues rrezikohen nga improvizimi dhe paaftësia e qeverisë

WhatsApp Image 2020 08 25 at 12.00.46 1 1100x620

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat u shpreh se nuk ka asnjë plan për rihapjen e shkollave dhe se rreth 510 mijë nxënës dhe mësues rrezikohen nga improvizimi dhe paaftësia e qeverisë në ikje, siç e quajti ajo.

“Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka siguruar asnjë kusht për zhvillimin e mësimit të fëmijëve gjatë pandemisë së COVID 19. Situata bëhet edhe më kritike me shembjen dhe nxjerrjen jashtë kontrollit të mbi 300 objekteve arsimore për shkak të tërmetit të nëntorit të kaluar. Qeveria nuk e mbajti premtimin për t’i ndërtuar shkollat deri në shtator dhe tani me rrezikun e COVID 19 gjendja është alarmante. Rreth 510 mijë nxënës dhe mësues janë të rrezikuar drejtpërsëdrejti nga infektimi për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit në ikje dhe ministreve të tij të paafta të arsimit dhe të shëndetësisë. Cili është plani i qeverisë për të sistemuar mbi 23 mijë nxënësit dhe mësuesit, që nuk kanë më një shkollë për shkak të tërmetit?”

Vokshi ngriti si problem edhe shkollat e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të kaluar. “Si do të bëhet shpërndarja e tyre në klasa për të garantuar distancimin, kur dihet se klasat janë të mbipopulluara edhe pa shembjen dhe dëmtimin e këtyre 300 objekteve arsimore. Qeveria vazhdon të heshtë për këtë problem madhor, ku pasojat e tërmetit dhe të pandemisë rrezikojnë me mijëra nxënës dhe mësues, si nga ana shëndetësore, edhe nga pikëpamja e cilësisë së mësimdhënies. Nga 11 bashkitë e prekura nga tërmeti, gjendja është shumë kritike në Tiranë dhe në Durrës, ku ndodhen më shumë se gjysma e shkollave të shembura dhe të mbyllura. Janë mbi 23 mijë nxënës dhe mësues që duhet të zhvendosen për shkak se qeveria nuk ndërtoi në kohë as edhe një shkollë të vetme”.

Sipas Vokshit, protokolli i sigurisë, i publikuar nga Ministria e Arsimit është me rregulla të përgjithshme dhe i pazbatueshëm në pjesën më të madhe të shkollave. “Në udhëzim nuk parashikohet fare se çfarë ndodh me klasën, me shkollën, nëse nxënësit apo mësuesit infektohen. Prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë të paqartë për orët e mësimit, për turnet në shkolla, si do të zbatohet distanca 1.5 metra e fëmijëve, çfarë do të bëhet për të garantuar kushtet higjieno-sanitare, në mënyrë që rinisja e mësimit të mos shndërrohet në një katastrofë shëndetësore. Qeveria e Shqipërisë është e vetmja në Europë që nuk ka dhënë asnjë qindarkë shtesë për përballimin e pandemisë me rihapjen e shkollave. Fëmijët dhe nxënësit po çohen drejt një rreziku të paralajmëruar pa u siguruar të paktën distancimin social. Improvizimi i qeverisë së paaftë dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës mund të rezultojë në përhapje edhe më masive të virusit përmes shkollave, nëse qeveria nuk ndryshon qëndrim dhe nëse nuk merr masa serioze.

Qeveria e ka për detyrë të ndërhyjë në mënyrë urgjente, jo vetëm për të siguruar shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve, por për të garantuar mësimdhënie cilësore. Dëmi i shkaktuar sot nga papërgjegjshmëria dhe paaftësia e qeverisë për të menaxhuar pandeminë në shkolla do të ndjehet për dekada me radhë. Fëmijët, të rinjtë, shoqëria jonë nuk meritojnë që vendi të rrisë një brez COVID për shkak të një qeverie të dështuar”, u shpreh Vokshi.