Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, KQZ e re pret nisjen e sesionit parlamentar

Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një nga ndryshimet kryesore në Kodin Elektoral që solli marrëveshja politike e 5 qershorit mes mazhorancës dhe opozitës.

Megjithëse këto ndryshime kanë hyrë në fuqi tashmë që prej 19 gushtit, gjithçka ka mbetur pezull pasi për ngritjen e trupës së re elektorale, duhet pritur kthimi i deputetëve dhe nisja e sesionit të ri parlamentar më 7 shtator.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara më 23 qershor, parashikojnë krijimin e një KQZ-je të re të përbërë nga komisioneri, nënkomisioneri, Anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve.

Kandidatët e interesuar mund të vetofrohen ndërsa grupet parlamentare dhe deputetët kanë të drejtë të sjellin propozimet e tyre. Përzgjedhja do të kryhet përmes një komisioni “ad hoc” të Kuvendit, ku edhe opozita jashtëparlamentare, sipas marrëveshjes me mazhorancën, do të këtë një të dërguar të posaçëm që merr pjesë në procedurën e shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Ndryshimet në Kod kanë përcaktuar edhe disa afate maksimale brenda të cilave duhet të nisë dhe përfundojë procedura për ngritjen e KQZ-së së re.

Maksimumi 30 ditë nga hyrja në fuqi e kodit, do të duhet të nisë procedura parlamentare, e cila duhet të mbyllet brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi. Kjo do të thotë që brenda 19 tetorit KQZ e re duhet të jetë funksionale. 

Deri atëherë mbeten në detyrë anëtarët aktualë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndonëse mandati i tyre quhet i përfunduar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Të plotë do të vazhdojnë të gëzojnë pagën, që do ta marrin deri në skadencën natyrale të mandatit që kanë aktualisht.