Rritja e infektimeve, Rama: Nuk do të ketë më mbyllje

Vendi nuk do të shkojë drejt një izolimi tjetër. Edhe pse jemi në situatë kritike nga përhapja e virusit dhe në prag të një vale të dytë në vjeshtë, kryeministri Edi Rama deklaroi se mbyllja nuk është zgjidhje, pasi ka kosto të larta dhe jo vetëm financiare.

“Kemi një sfidë të madhe publike, kjo nuk është një betejë që zhvillohet vetëm në spital, por çdo ditë, ku çdokush duhet të bëjë rolin e tij, ndërkohë që virusi, ju e keni thënë, nuk ka ardhur për të ikur për 4 muaj, por është këtu për një periudhë që nuk dihet sa do të zgjasë, duhet të mësohemi me këtë dinamikë të re. Nuk mund të zgjedhim mbylljen dhe izolimin si opsion të vazhdueshëm, pasi sjell dëme dhe shkatërrime të një natyre tjetër, që kanë kosto në aspektin ekonomik, por edhe psikologjik”, u shpreh Rama.

Gjatë një takimi me mjekët e Spitalit Infektiv, kryeministri vlerësoi punën e tyre, veçanërisht këtë periudhë. Kreu i qeverisë premtoi rritje të konsiderueshme pagash vitin e ardhshëm.

Rama e ka cilësuar sfidë hapjen e shkollave dhe përshtatjen e fëmijëve me sjelljen e re. Por, sipas tij, shoqëria duhet të mësohet me rregullat e reja, pasi virusi do të bashkëjetojë për një kohë të gjatë me ne.

Me fillimin e vjeshtës pritet rëndim i situatës së epidemisë për shkak të qarkullimit edhe të virozave gripale. Kryeministri deklaroi se këtë vit janë porositur më shumë vaksina kundër gripit për kategoritë më të rrezikuara, si dhe është bërë edhe rezervimi për dozat kundër Covid-19 edhe pse ende nuk ka një vaksinë te kualifikuar.