Gati beteja ligjore mes Barcelonës dhe Messi-t

barcelona 600x338

Luftë te Barcelona. Lionel Messi ka vendosur të largohet nga “Camp Nou”, ndërsa klubi katalanas nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet, të paktën jo prej këtij sezoni.

Nëpërmjet “Burofax”, ylli argjentinas i paraqiti klubit kërkesën për të prishur kontratën. Drejtuesit e Barçës në anën tjetër, po në të njëjtën mënyrë i komunikuan se bashkëpunimi duhet të vazhdojë sipas kontratës deri më 30 qershor 2021, madje këtë vendim e publikoi edhe në kanalet zyrtare.

“Burofax” është metoda e komunikimit në Spanjë, ku njerëzit apo institucionet shkëmbejnë dokumente zyrtare, të cilat njihen edhe nga gjykata. Periudha e prishjes së kontratës, apo edhe thjesht mënyra e komunikimit, lë të kuptohet që Barcelona dhe Messi janë gati për t’u sfiduar në gjykatë. Avokatët e Messit pretendojnë se sipas kontratës së firmosur në vitin 2017, sulmuesi mund të largohet pa pagesë në fund të edicionit, por problem mbetet fakti që klauzola ka skaduar më 10 qershor, ndërsa për shkak të pandemisë, sezoni u shty deri në mesin e muajit gusht.

Një tjetër mënyrë largimi është pagesa e klauzolës për prishjen e kontratës, në vlerën e 700 milionë eurove. Situata e krijuar ka sjellë protesta mes tifozëve. Ata u grumbulluan në impiantin “Camp Nou”, duke i bërë thirrje Messit të qëndrojë. Ultras-it katalanas kërkuan largimin e presidentit Bartomeu, shkaktari kryesor për pakënaqësi të kapitenit, por edhe për dështimet sportive të ekipit. Gjithsesi, kreu i klubit njoftoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti, edhe pse diçka e tillë iu kërkua nga bordi drejtues.