Përmbytje të mëdha në Pakistan, 90 të vdekur

Pakistani është përballur me përmbytje të mëdha nga reshjet e shumta të shiut, përgjatë tri ditëve me radhë. Si pasojë e kësaj katastrofe, të paktën, 90 njerëz kanë mbetur të vdekur dhe rreth 1000 shtëpi janë dëmtuar në të gjithë Pakistanin, tha agjencia kombëtare e vendit për menaxhimin e fatkeqësive.

Rrugët dhe shtëpitë u përmbytën të martën nga ujërat e zeza, ku sistemet e kullimit dhe kanalizimeve janë të vjetruara. Shumë njerëz mbetën të izoluar, të paaftë për të lënë shtëpitë ose zyrat e tyre pasi uji i shiut kishte bllokuar rrugët.

Shirat pritet të vazhdojnë edhe këtë javë në disa rajone të Pakistanit, në të cilat, kryeministri Imran Khan, në fillim të këtij muaji, dërgoi trupa për të ndihmuar autoritetet lokale në pompimin e ujërave të shiut, sidomos në zonat e përmbytura të banuara.

Çdo vit, shumë qytete në Pakistan luftojnë me përmbytjet vjetore shkaktuar nga reshjet e dendura që zgjasin nga korriku deri në shtator.