Rikthimi i nxënësve në shkolla, vendet europiane mes “normalitetit” dhe masave strikte

OBSH RIINFEKTIMI 1100x620

Spanjën e presin muaj tepër të vështirë nga pandemia koronavirus. Paralajmërimi është lëshuar nga kryeministri, Pedro Sanchez, i cili u kërkoi ministrave të tij mobilizim më të shpejtë për të luftuar përhapjen e Covid-19. Pas një mbledhje të qeverisë, ai bëri të ditur planin për përballjen e një emergjence të mundshme.

“Dua t’iu komunikoj se qeveria spanjolle do të vendosë ushtrinë në dispozicion të rajoneve autonome për të shtuar përpjekjet e gjurmimit”, u shpreh Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës.

Gjithashtu, ai bëri me dije se shkollat do të rinisin normalisht. Sipas planit të ministrisë së Arsimit, nxënësit duhet të ruajnë distancimin fizik prej 1,5 metrash nga njëri-tjetri dhe klasat do të jenë të përbëra nga 15 deri në 20 fëmijë.

Ndërkohë, edhe shtete të tjera europiane po bëhen gati që nga shtatori të nisin vitin e ri shkollor në atë që po konsiderohet normaliteti i ri. Qeveritë kanë punuar prej muajsh për një plan që garanton siguri për shëndetin e fëmijëve. Franca, për shembull, do ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura për mësuesit dhe nxënësit mbi 11 vjeç. Por, pritet që kufizimet për numrin fëmijëve në klasa dhe udhëzimi për distancimin fizik të hiqen.

Sa i përket Gjermanisë, institucionet arsimore po shtojnë masat higjieno-sanitare, por mbajtja e maskës nuk është e detyrueshme në shkolla. Mësimi ka filluar, por dy shkolla janë mbyllur në vend pas konfirmimit të disa rasteve.

Edhe Italia ka vendosur masa strikte për vitin e ri shkollor. Duhet të ruhet distanca sociale prej të paktën 1 metër dhe mbajtja e maskës është e detyrueshme si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit.