Rishfaqet Kim Jong Un: Të merren masa për të luftuar Covid-in dhe tajfunin

Kim Jong Un rishfaqet me një paralajmërim për autoritetet koreano-veriore, për t’u përgatitur për rreziqet që i kanosen vendit nga pandemia koronavirus dhe një tajfuni në pritje.

Teksa në ditët e fundit u shtuan zërat për një përkeqësim të shëndetit të tij, mediat në fqinjin jugor raportuan se Kim ishte në gjendje kome dhe se një pjesë e pushtetit i kishte kaluar tashmë së motrës Kim Yo Yong, por diktatori rishfaqet, në një mbledhje të partisë së tij.

Koreja e Veriut nuk ka raportuar deri më sot asnjë rast pozitiv me koronavirus, ndërsa tajfuni Bavi pritet të godasë vendin gjatë kësaj jave. Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Kim i cili shfaqet edhe me një cigare puro në dorë, tha se shteti po përpiqet ta frenojë përhapjen e virusit të keq në vend, por pa dhënë detaje të tjera.

Spekulimet për shëndetin e Kim Jong Un nuk janë të pazakonta, por deri më sot kanë rezultuar të pavërteta dhe pas mungesës së gjata disa javore, ai shfaqet sërish, së paku në videot e publikuara nga televizioni shtetëror KCNA.

Por, përveç frikës së përhapjes së koronavirusit, për të cilat Peniani vendosi të mbyllë kufijtë me pjesën tjetër të botës që prej muajit janar, vendi me popullsinë 25 milionë banorë do të duhet të përballet edhe me tajfunin Bavi.

Në të shkuarën për vendin komunist, shirat e rrëmbyer të gushtit kanë rezultuar fatale për banorët, me përmbytje e mungesë të ushqimeve bazë.