Skenarët për vitin shkollor, mësim me turne deri në orën 20:00, i alternuar ose vetëm online

Ministria e Arsimit shpall 3 skenarët për zhvillimin e mësimit në varësi të ecurisë së virusit. Sipas planit të parë, që me gjasë do të nisë zbatimin me fillimin e shkollës, në 14 shtator, mësimi do të zhvillohet çdo ditë në klasa dhe me turne, nga mëngjesi deri në orën 8 të darkës.

Klasat e ndara nuk do të kenë më shumë se 17 nxënës në grup, orët e mësimit do të jenë 25 minuta dhe një mësues është planifikuar për të zhvilluar mësimin paradite dhe pasdite. Për orët shtesë do të mbulohen financiarisht. Por, sipas këtij skenari, shkollat e vogla në rrethe dhe fshatra që nuk kanë numër të madh nxënësish do ta zhvillojnë mësimin 45 nxënës, por duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse ndaj virusit.

Nëse situata nga epidemia i rëndohet dhe konstatohen të infektuar brenda shkollave, Ministria do të vërë në zbatimin skenarin e dyte. Mësimi alternohet 1 javë në klasë dhe një javë online nga shtëpia.

Edhe në këtë rast, për shkollat me numër të madh nxënësish dhe me turne, mësimi i alternuar do të zhvillohet sipas ndarjeve të klasave dhe deri në orën 8 të mbrëmjes.

Një orë mësimi nuk do të jetë më shumë se 25 minuta. Por, në rast të përkeqësimit të gjendjes në të gjithë vendin, ministria ka planifikuar mbylljen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit vetëm online, ashtu si dhe fillimet e pandemisë. Për këtë skenar vetë mësuesit do të organizojnë klasën e tyre të ndarë ose jo në grupe për mësimin në distancë.

Edhe për këtë rast një lëndë do të marrë 25 minuta dhe i gjithë mësimi zhvillohet në dy orë. Referuar këtij drafti, por dhe kushteve specifike të institucioneve arsimore, në 1 shtator çdo shkollë publike dhe private do të nxjerrë planin e organizimit të mësimit në kushtet e pandemisë, ndarjen e klasave në turne dhe oraret për çdo nxënës.