“Art Koloni 2020”, Pogradeci pret piktorë nga rajoni dhe Europa

Ka startuar në qytetin e Pogradecit aktiviteti “Kolonia e Artit Pogradec 2020”. Piktorët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë performuar në natyrë te sheshi i trëndafilave.

Nën tingujt muzikor të Mariza Ikonomit, aromës së trëndafilave, ata kanë hedhur në telajo bojrat shumëngjyrëshe sipas perceptimit të tyre. Sipas organizatorëve, ky është një aktivitet i ndarë në tre pjesë, ku në dy pjesët e para piktorët, të ndarë për shkak të pandemisë, do të pikturojnë në natyrë dhe në shtator do të çelet ekspozita me punimet e tyre, më të mirat mes tyre do t’i dhurohen fondit të Galerisë së Arteve në Pogradec.

“Art Koloni 2020” ishte menduar krejt ndryshe për t’u organizuar, por pandemia ndryshoi komplet skaletën e aktivitetit, megjithatë nuk ka ndalur artistët nga Ballkani dhe Europa për ta kthyer Pogradecin për dy javë në Qendrën Ballkanike të Artit dhe Kulturës.