Çështja e detit, Patozi: Mbartje e krizës turko-greke në Shqipëri

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 ku foli për temat kryesore që kanë përfshirë jetën politike të vendit gjatë muajve të fundit dhe zhvillimet që pritet të nisin me fillimin e vjeshtës.

Sipas Patozit momentalisht të dyja palët si mazhoranca ashtu edhe opozita janë në një moment suspance që për të është shqetësuese. Ai i frikësohet një marrëveshje në heshtje të forcave kryesore politike për marrëveshjen e 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese e cila mund të bjerë në kurriz të forcave të reja që kërkojnë ndryshim të situatës.

“Politika shqiptare ndodhet në një moment suspance. Do të kemi shtator të vrullshëm pasi ka dhe turbulanca. Ka një heshtje të çuditshme. Të gjitha palët bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë me ndryshimet kushtetuese dhe marrëveshjen e 5 qershorit. Fakti që të tre aktorët heshtin apo bëjnë sikur nuk e kanë mendjen më lë një shije të hidhur, pasi duket sikur ata janë të rehatuar me situatën dhe ky mund të jetë një lajm i keq për forcat e reja që kërkojnë ndryshim.  Që do të thotë që aktorët e rinj duhet të jenë të vëmendshëm, pasi në kurrizin e tyre po luhet një dramë tjetër që mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë”, tha koordinatori i Bindjes.

Astrit Patozi nuk la pa komentuar dhe procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë në Partinë Demokratike. Ai e konsideroi atë një instrument të kryetarit të partisë Basha për të mos mbajtur përgjegjësi personale për listën e kandidatëve që do të nxjerrë. Patozi shtoi se qëndrimi i tij është në të njëjtën linjë me Jozefina Topallin.

“Nuk më pëlqen të flas për zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike që kam përshtypjen që është një proces i sforcuar për të mos thënë që është një farsë. Është një instrument i Bashës për të nxjerrë gështenjat me duart e të tjerëve, për të mos pasur përgjegjësi personale për listën që do të nxjerrë”, u shpreh Patozi.

Një ndër temat për të cilat Astrit Patozi u pyet në Ditarin e A2 ishte dhe ajo e marrëveshjes së detit me Greqinë, për të cilët ai tha se është akrobaci e palës greke për të shmangur problemet që ajo ka me Turqinë.

“Kjo është një çështje që nuk i përket shumë Shqipërisë. Ne jemi derivat i një konflikti turko-grek që sillet në Shqipëri për shkaqe të Greqisë. Kam ndjekur deklaratat dhe nuk shkoj më tej pasi është si kriza e Bjellorusisë që nuk mund të lidhet me Shqipërinë dhe pse Rama është kreu i radhës i OSBE. Kjo është një bartje e krizës turko-greke që uroj të gjejë një zgjidhje, është një akrobaci e palës greke për ta kaluar në Shqipëri një problem që ka me Turqinë”, përfundoi Patozi.