Publikohet udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor, Shahini: Të përgatitur për të gjithë skenarët

shahini2 1100x620

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi përmes një videomesazhi në rrjetet sociale se tashmë udhëzuesi për fillimin e vitit të ri shkollor është gati dhe ai parashikon të gjithë skenarët e mundshëm në varësi të situatës së pandemisë.

“Sot është botuar udhëzuesi i ASCAP që tregon për skenarët e ndryshëm, të cilët do të zbatohen në shkolla të ndryshme për të siguruar distancimin social, shëndetin e nxënësve dhe mësuesve, kur të kthehemi në shkolla”, deklaron ministrja.

Ministrja Shahini gjithashtu sqaron dhe se si do të veprohet nëse një nxënës apo mësues do të dalë pozitiv me Covid-19.

“Protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në rast se një nxënës, një mësues, apo një grup nxënësish del që është infektuar me Covid-19. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka pasur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie. Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor që do të zhvillohet në objektet shkollore”, shprehet mes të tjerash Shahini.