Viktima dhe dëme të mëdha, uragani “Laura” godet Louisianën

Ashtu edhe siç ishte parashikuar disa ditë më përpara, uragani “Laura” goditi të enjten brigjet e Luisiana në Shtetet e Bashkuara duke shkaktuar humbje jete, dëme të pallogaritshme dhe ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se 500 mijë banesa.

“Laura” konsiderohet si një ndër stuhitë më të fuqishme që ka goditur brigjet amerikane, me erëra që arrijnë deri në 240 km/h. Fatmirësisht uragani nuk arriti fuqinë maksimale nga sa pritej, por autoritetet paralajmërojnë se është ende shumë i rrezikshëm dhe kërcënues.

Deri në këto momente më shumë se 500 mijë persona janë lajmëruar që të largohen nga disa zona të Texas dhe Louisiana.

Guvernatori John Bel Edwards bëri me dije se janë raportuar dëme të mëdha në strukturat e ndërtesave për shkak të erës së fuqishme, por përmbytjet nuk janë në përmasat që ishin parashikuar më herët. Ai gjithashtu shtoi se 3 persona kanë humbur jetën.

Disa ditë më parë uragani “Laura” dhe stuhia tropikale “Marco” goditën Karaibet duke shkaktuar të paktën 24 viktima.