Zgjerimi i Greqisë në det, qeveria shqiptare shpjegon në Facebook të drejtat e Athinës

Deklaratata e kryeministrit grek në Parlamentin e Athinës për zgjerimin e kufirit detar në 12 milje, duket se ka gjetur me pushime diplomacinë shqiptare. Për të sqaruar opinionin publik vendas, Qeveria e Tiranës u kujtua pasi kishin kaluar më shumë se 24 orë nga qëndrimet në Greqi.

E kontaktuar nga A2 që të mërkurën, Ministria e Jashtme nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej, ndërsa Genc Cakaj që u propozua në krye të diplomacisë shqiptare me motivacionin si djalë i lexuar, iu desh kohë të shkruante disa rreshta në Facebook. Po në Facebook bëri thirrje për qetësi zv/kryeministri Erion Braçe. I fundit në radhë u kujtua Edi Rama, që përveçse kryeministër, mban edhe zyrtarisht titullin e ministrit të Jashtëm. Edhe ai sqaroi nga Facebook-u: “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do të gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni, të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara”.  

Kryeministri Edi Rama kujton se ishin pikërisht socialistët në opozitë që goditën në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen që cenonte integritetin territorial të Shqipërisë dhe sulmet kundër negociatave për një pakt të ri me Greqinë, i cilëson të motivuara politikisht: “Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht, një arsye lufte për pushtet”.

Apeli që ka për qytetarët është që t’i ruhen helmit nacionalist: “Padituria nuk është argument. Nuk është as faj për sa kohë nuk përdoret si argument. Prandaj, kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit”.

I vetmi që reagoi me zë dhe figurë ishte Ilir Meta. Nga Vlora, Presidenti i Republikës siguroi shqiptarët se nuk lëviz nga qëndrimi i tij. Presidenti Meta i ka dhënë plotfuqinë grupit negociator të ngritur nga Ministria e Jashtme në 2018 për të finalizuar një marrëveshje të re për detin me Greqinë, pas rrëzimit të marrëveshjes së parë nga Gjykata Kushtetuese. Tashmë, prej muajsh Meta ka një draft në tryezë, por e ka bërë të qartë se nuk do të japë asnjë autorizim tjetër për ta dërguar marrëveshjen e re në Parlament, për sa kohë vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale.