Kombëtarja Shpresa, Alban Bushi: Synojmë vendin e tretë në kualifikuese

Trajneri Alban Bushi publikoi listën me 22 futbollistë për ndeshjet kualifikuese, në trasfertë me Austrinë, më 4 shtator dhe me Andorrën më 8 shtator. 

Në skuadër janë gjashtë sulmues, mes të cilëve Giacomo Vrioni, i cili debutoi me Juventus në fund të sezonit të kaluar, por mungon Armando Broja, talenti i Chelsea i huazuar te Vitesse në elitën e futbollit holandez, ku shkëlqeu me dy gola në debutim në miqësore.

Pritet që Broja të thirret nga trajneri Edy Reja për Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar testin e parë të tamponit, për Covid 19, i vetmi lojtar në dyshim prej pandemisë është Jon Mersinaj, i cili në Kroaci ka qenë në kontakt me persona të infektuar, ndërsa Çokaj nuk u përfshinë ekip, sepse ndodhet në karantinë.

Përfaqësuesja e 21-vjeçarëve renditet e katërta në grupin kualifikues të Europianit 2021, me 5 pikë në 6 ndeshje, një pikë më pak se Kosova e vendit të tretë.