Kufiri detar me Greqinë, Xhaferi: Kemi besim te institucionet shqiptare dhe i mbështesim ato

Kreu i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u shpreh në “Ditari” në A2 se “institucionet përkatëse të Shqipërisë i kanë kapacitetet për të gjetur forcën e duhur për qasjen ndaj temave që kanë të bëjnë me raportet me Greqinë”, duke iu referuar çështjes së kufirit detar.

“Është një çështje që u takon institucioneve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Ne, si vend fqinj dhe shqiptarë, po e ndjekim këtë çështje dhe i mbështesim institucionalisht dhe personalisht institucionet shqiptare”, tha Xhaferi.

Në lidhje me qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi theksoi se në politikën maqedonase po thyhen tabutë.

“Ka pasur një sërë institucionesh që kanë pasur vetëm kuadro maqedonas. Programi i BDI-së ka qenë gjithmonë që të kishte barazi edhe në përgjegjësitë për menaxhimin e institucioneve qendrore shtetërore”, theksoi Xhaferi.

Sa i përket zgjedhjeve në Malin e Zi, Xhaferi u shpreh: “Duke u bazuar në interesin tonë si shqiptarë në rajon, mendoj se partitë politike shqiptare në Malin e Zi duhet të jenë bashkërisht në fushatë për zgjedhje, pasi ashtu do të sigurojnë forcë politike”.