Nga konflikti me “shqiptarët” te “rrëmbimi”, Harry Maguire thyen heshtjen

Kapiteni i Manchester United është bërë lajm kryesor i mediave ditët e fundit pasi një gjykatë në Greqi e shpalli atë fajtor për sulm dhe për tentativë korruptimi të policisë, ndërsa në ngjarje janë përmendur edhe shqiptarët.

Maguire u dënua me 21 muaj me kusht dhe nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi u shpall fajtor për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet greke, për sherrin masiv ku ai u përfshi në ishullin grek të Mikonos.

Për herë të parë, pas pushimeve që vetëm kështu nuk mund të quhen këto të kësaj vere për mbrojtësin e United, ai ka vendosur të flasë, në një intervistë të marrë nga BBC Sport.

Tejet i emocionuar gjatë intervistës, Maguire është shprehur se ai mendoi se po rrëmbehej kur u ndalua nga policia.

“Ishte e tmerrshme. Nuk ia uroj askujt. Është hera e parë që unë përfundova në burg. Mendimi im i parë ishte se ata po na rrëmbenin, pasi na ulën në gjunjë dhe nisën të na godasin. Më vendosi prangat në njërën dorë dhe po më godiste nga këmbët duke më thënë se karriera ime do të mbyllej dhe nuk do të luaja më futboll. Në atë, moment mendova se nuk ka shanse që këta janë policë. Unë u përpoqa të ikja. Isha në panik, nga frika. U tremba për jetën time”, tregon mes emocioneve të shumta mbrojtësi anglez.

Ai komenton edhe nisjen e konfiktit dhe pretendimet e prokurorit grek, i cili tha se Maguire duhet të kërkojë falje për gënjeshtrat e tij.

“Dy burra iu afruan motrës sime të vogël dhe e pyetën se nga ishte. E fejuara ime pa motrën dhe vrapoi drejt asaj pasi e pa që po i binte të fikët. Më pas nisi gjithçka. Unë nuk ndjej t’i kërkoj falje ndokujt. Ju e bëni këtë kur keni gabuar. Falje mund t’u kërkoj vetëm tifozëve dhe klubit”, u shpreh mbrojtësi.

Tashmë, Harry Maguire do të apelojë dënimin, ndërsa zotohet se do të luftojë për të pastruar emrin, duke synuar daljen në dritë të së vërtetës.