Nisja e shkollave, Vokshi: Udhëzuesi i vonuar dhe shumë konfuz

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ishte e ftuar në A2 nga ku foli për nisjen e shkollave në periudhë pandemie.

Për Vokshin protokolli i sigurisë dhe udhëzuesi është një hap i mirë, por i vonuar dhe konfuz.

“Shqetësimi ishte se përkundër çdo qeverie tjetër që ka bërë një plan të hartuar, një protokoll shëndeti, në Shqipëri nuk kishin asgjë. Tashmë kemi një protokoll sigurie dhe dje një udhëzues të hartuar nga një grup pune dhe një shkresë të firmosur që urdhëron drejtoritë arsimore.

Pavarësisht se është një hap i mirë, por është i vonuar. Sërish është një udhëzim shumë konfuz, nuk i jep zgjidhje shumë problematikave.

Problematika më e madhe që unë shoh, çfarë do të bëhet me fëmijët e familjeve që kanë të prekur këto dy javët e fundit? A ka ministria një listë të këtyre fëmijëve? A do të pranohen këto fëmijë në shkolla? Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë udhëzim. Kush është personi përgjegjës?”, u shpreh Vokshi.

Më tej, Vokshi thekson se fëmijët duhet të shkojnë në shkollë. Mësimi online duhet të jetë alternativa e fundit, por ajo thekson se më parë duhet të plotësohen kushtet.

“Unë kam qenë e mendimit se mësimi online duhet të jetë zgjidhja e fundit për fëmijët. Unë jam marrë me orë të tëra me dy vajzat e mia kur bëhej mësimi online. Unë mendoj se ka mangësi nga mësimet e vitit të kaluar. Mendimi im është që fëmijët të shkojnë fizikisht në shkolla, por më parë ministria dhe institucionet e tjera të jenë atje para se të fillojë shkolla, të sigurojnë të gjitha kushtet, por ata e kanë të pamundur që mund t’i përmbushin. Kjo është frika ime më e madhe”, u shpreh Vokshi.