Pakti detar, Rama: Spekulime, nuk kemi marrëveshje me Greqinë

Në një takim me gazetarët në Vjenë, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se ekziston një hartë e re detare me Greqinë.

Sipas tij, dhe presidenti Meta ka ndikuar në shtimin e paqartësisë me deklaratën e tij.

“Ajo që po ndodh mes Greqisë dhe Turqisë është ekzaktësisht një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territorial të njërit dhe të tjetrit, një mosmarrëveshje që ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por për të cilën ende nuk kemi një rezultat përfundimtar dhe ende nuk kemi dakordësinë e të dyja palëve. Hartat që dalin, siç dilnin ato hartat që do të copëtohej Kosova, janë spekulime që nuk kanë lidhje me realitetin.

E fundit, dua të them se një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj, nuk është diçka që bëhet fshehur.

Në radhë të parë, presidenti duhet të informohet mirë dhe në vend që të thotë se për çfarë është aty, të bëjë atë që duhet të bëjë që është aty dhe të mos ngatërrojë kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë që nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë. Të mos hedhë fjalën sikur kapeni ju tani dhe ejani mbroni kushtetutën, pasi këtu për fat të mirë të kushtetutës, presidenti nuk ka lidhje fare”, u shpreh Rama.