Përcaktohet kalendari i Superiores, por “kampionati nuk nis pa ndryshime në ligj”

Është përcaktuar paraditen e sotme kalendari i këtij sezoni në Kategorinë Superiore, ku që në javën e parë do të kemi një supersfidë, ku Tirana kampione do të ndeshet me Kukësin nënkampion.

Po në javën e parë, Teuta do të presë Skënderbeun, Vllaznia Apoloninë e sapo ngjitur, Bylisi do të ndeshet me Laçin, ndërsa Kastrioti do të përballet me Partizanin.

Por pavarësisht këtij hapi drejt nisjes së elitës së futbollit shqiptar, sërish klubet kanë vendosur bojkotin, nëse nuk do të ketë ndryshime në ligjin për sportin. Një gjë e tillë u pohua edhe nga Edvin Libohova, zv.presidenti i FSHF-së. “Në rast se nuk plotësohen kushtet për qeverinë, kampionati nuk nis. Kushtet janë të negociueshme. Ne kemi dërguar kërkesën zyrtare dhe po presim të kalojmë këtë pengesë për të filluar kampionatin. Deri tani nuk kemi pasur asnjë reagim nga qeveria”.