Rama, këshillë Bashës: Akoma s’ka marrëveshje me Greqinë, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd

rama prishtine 1100x620

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sërish në Twitter kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, në lidhje me çështjen e kufirit detar me Greqinë.

“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh,që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh,se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK”, shkroi Rama në rrjetin social.

“Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, shtoi Rama.

E menjëhershme kundërpërgjigjja e Bashës: “Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”.