Rriten rastet e rënda, 40-50-vjeçarët pacientët më të shpeshtë, refuzojnë masat

Rritja e të infektuarve nga virusi po shton rastet e rënda dhe të shtruarit në spitale.  40-50-vjeçarët janë pacientët më të shpeshtë që këtë periudhë po shfaqin rëndim të gjendjes shëndetësore, kanë nevojë për terapi intensive, disa prej tyre përfundojnë në intubim deri dhe në humbje jete.  

Infeksionistja Entela Ramosaco tregon arsyet se përse kjo grupmoshë është më e prekur nga virusi.

“Ka shumë arsye. Ne moshat e treta, prindërit tanë i kemi izoluar në familje, i kemi mbyllur në shtëpi. Duke qenë se janë me sëmundje bashkëshoqëruese, janë të kujdesshëm, mbajnë dhe maskë kur dalin. 40-50-vjeçarët janë moshat më të pakujdesshme, disa dhe nuk e besojnë që kjo sëmundje ekziston. Nuk mendojnë se mund të rëndohen, mendojnë se mund ta kalojnë si një grip i thjeshtë. Por nuk ka lidhje me gripin, kjo sëmundje shfaq forma të rënda, të merr dhe jetën”, tha mjekja.

Mjekët infeksionistë thonë se rritja e rasteve të rënda po ndodh edhe sepse pacientët shkojnë vonë në spital. Entela Ramosaco iu bën thirrje mjekëve të familjes, por edhe të urgjencës të vlerësojnë me kujdes çdo person të infektuar.

“Nëse pacientët paraqesin shenja të prekjes pulomare në masën 30%, kanë hiperkoalugim(mpiksje të gjakut) mjeku i familjes patjetër që duhet të vihet në alarm për ta sjellë në spital”, shtoi Ramosaco.

Sipas mjekëve, format e rënda shfaqin kryesisht të prekurit që kanë edhe sëmundje të tjera, veçanërisht diabet, në disa raste edhe të fshehur.  

5 pacientë të shtruar po trajtohen me plazmën konvaleshente, produkt që merret nga gjaku i të shëruarave nga koronavirusi. Sipas mjekëve, kjo terapi po jep efekte pozitive, por ende është herët për të dalë në një përfundim.