Ditët e Abaz Aliut në Malin e Tomorrit

Ditët e Abaz Aliut, shenjtorit të bektashinjve, mbledhin mijëra besimtarë në Malin e Tomorrit. Çdo vit, nga data 18 deri në 25gusht, ata mbërrijnë në teqenë kushtuar atij, ndërtuar në mbi 2 mijë metra lartësi, për të përkujtuar sakrificën e këtij personazhi, i cili humbi jetën në betejën e Qerbelasë.  

Por, cila është lidhja e Abaz Aliut me Shqipërinë, si është historia e mbërritjes së tij në Malin e Tomorrit dhe a janë pelegrinët që vijnë këtu vetëm shqiptarë? Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj, shprehet: “Qerbelaja ndau të mirën nga e keqja. Pa sakrifica dhe pa mundime, nuk arrihet asgjë në këtë botë. Prandaj pelegrinët sakrifikojnë dy netë këtu. Nuk ka asnjë incident dhe asnjë e keqe këtu. Ka shumë aktivitet, por gjithmonë me harmoni dhe dashuri. Abaz Aliu ndërroi jetë në 1680. Që në ato vite ka pasur pelegrinazh dhe vazhdon edhe sot. Hovin e mori pas viteve ’45 dhe vijnë nga gjithë Ballkani. Nuk ka vetëm bektashinj, por edhe katolikë, ortodoksë e hebrenj”.

Kurbani është një prej riteve kryesore që kryhen këtu dhe një prej pelegrinëve vendas, nga Berati, na shpjegon sesi funksionon kjo procedurë.

Baba Mondi dëshiron të krijojë kushte sa më bashkëkohore. Po për të varfërit që nuk kanë mundësi të blejnë një qingj, a mendojnë besimtarët bektashinj?

Pjesa më e madhe e pelegrinëve grumbullohen familjarisht dhe festojnë në ambiente të improvizuara. Disa prej tyre qëndrojnë me ditë të tëra. Pjesa tjetër frekuenton lokalet dhe muzika popullore ndihet ngado.

Prej kësaj maje të lartë shpërfaqet një peizash befasues, ndërsa gjithçka tjetër që rrethon Malin e Tomorrit duket larg dhe shumë më e ulët. Hipoteza të shumta flasin se këtu ndodhet tempulli i Dodonës pellazgjike, ndërsa dhjetra teori janë ngritur për misticizmin e këtij vendi magjepsës, duke mos lënë mënjanë edhe legjendën e Tomorrit dhe Shpiragut, por gjithësesi ajo çka ofron ky mal i lë vend çdo fantazie.

Momentalisht, këtu është kryetempulli i bektashinjve që festojnë dhe urojnë për mbarësi. Një urim special vjen edhe nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila ishte gjithashtu një prej pelegrinëve.

Përsa u përket masave anticovid, Kryegjyshata Botërore ka bërë të pamundurën, duke shpërndarë dezinfektantë në ambientet e brendshme të teqeve dhe tyrbeve, ndërsa janë rritur edhe kushtet e higjenës.

Megjithatë, disiplinimi i njerëzve në natyrë duket si mision i pamundur, ndaj çdokush kujdesej personalisht që të ruante distancat dhe familjet qëndronin më tepër pranë njëra-tjetrës, duke shmangur kontaktet me të tjerët.

Helikopteri rrallë duket këtyre anëve, pasi transporti me të kushton tepër, ndaj qindra mijëra të tjerë përdorin 4 rrugët që të sjellin në këtë pikë, rrugë të cilat janë të gjitha të amortizuara dhe kalimi në to është tepër i vështirë. Makina të ndalura, si kjo, haseshin me dhjetra, por vështirësitë nuk i ndalonin besimtarët që të mbërrinin në këtë vend të shenjtë, për të festuar ditët e Abaz Aliut, me shpresën se Zoti do t’i ndihmojë për të përballuar vështirësitë e tyre.