Gjykata iu dha leje, por policia shpërndan protestën anti-Covid

Policia e Berlinit shpërndau protestën masive kundër rishikimi të masave anti-Covid në kryeqytetin gjerman, disa orë pasi ajo filloi, për shkak se të pranishmit ishin të papajisur me maska dhe nuk respektuan masat e distancimit social.

“Fatkeqësisht nuk kishim asnjë opsion tjetër”, deklaroi policia e Berlinit në njoftimin zyrtar duke bërë me dije se marshuesit nuk zbatuan asnjë nga masat e detyrueshme të sigurisë.

Protestuesit u shpërndanë paqësisht pas ndërhyrjes së policisë, por pati dhe përplasje të vogla si në rastin e bllokimit të një aksi rrugor me anë të një kontejneri.

Mbi 3000 efektivë ishin angazhuar për të mbajtur turmën në kontroll, e cila sipas organizatorëve kishte mbi 18 mijë persona.

Më herët bashkia e Berlinit kishte deklaruar se nuk do ta lejonte një protestë të tillë, por leja iu dha më vonë nga gjykata rajonale.