Liga e Kombeve, Reja: Vendimtare në Bjellorusi, synojmë të fitojmë grupin

Shqipëria nis përgatitjet për Ligën e Kombeve. Trajneri Edy Reja publikoi listën me 28 futbollistë, aty ku risitë nuk mungonin, me grumbullimin e 17-vjeçarit të Interit, Ramën Çepele apo thirrjen e Kamberit dhe Brojës në sulm.

Megjithë situatën e pazakontë dhe faktin se kuqezinjtë do të luajnë për herë të parë që prej nëntorit të vitit 2019, objektivi i Shqipërisë është fitimi i grupit në Ligën e Kombeve. 

“Ekzistojnë shumë pikëpyetje për gjendjen fizike që do të kenë lojtarët pas kësaj shkëputjeje. Bjellorusia është një nga ekipet më të forta. Sfida në Bjellorusi është vendimtare, nuk duhet të gabojmë në ndeshjen e parë. Ndeshjet pa tifozë janë si miqësore dhe duhet të shohim si reagojnë lojtarët. Edhe pse kam një ekip cilësor, duhet të punojmë në aspektin psikologjik. Objektivi jonë është ta fitojmë grupin. Jemi të bindur se do t’ia arrijmë”, tha Reja. 

Thirrja e shumë lojtarëve lidhet me pandeminë, rrezikun e mosparaqitjeve prej karantinës, por edhe dëmtimet. Një lajm të keq, Reja e mori në konferencë e sipër: “Sapo më njoftuan se Kumbulla u dëmtua. Duhet të vlerësojmë gjendjen e Memollës, por edhe situatën me Kamberin dhe Lenjanin, të cilët janë në Zvicër. Ky vend ende nuk ka pranuar ta heqë karantinën 14-ditore për ata që kthehen nga udhëtimet. Shpresojmë që për futbollistët të bëhet ky përjashtim sepse edhe zviceranët do të zbresin në fushë. Memushaj është i dëmtuar, Ndoj është prekur nga koronavirusi, ashtu sikurse synonim të shihnim Mersinajn, që është në karantinë në Kroaci. Uroj që lojtarët në grumbullim të vijnë në gjendje të mirë, por duhen vlerësuar dëmtimet apo forma, sepse disa kampionate ende nuk kanë nisur”. 

Shqipëria debuton në Ligën e Kombeve në ndeshjen e 4 shtatorit në Bjellorusi, ndërsa tre ditë më pas kuqezinjtë do të luajnë në shtëpi me Lituaninë.